Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, të hënën kanë bërë homazhe te shtatorja e Nënës Terezë në Prishtinë me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së saj.
Për nder të kësaj dite do të mbahen një varg aktivitetesh. Në orën 09:30, presidentja Osmani bashkë me kryeministrin Kurti, vizitojnë Shtëpinë Muze të Nënë Terezës në Prizren.
Ipeshkvia e Kosovës në orën 11:00 mban meshën solemne të Festës së Shën Nënë Terezës, e cila sivjet koincidon me 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, 6-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku dhe 5-vjetorin e shugurimit të Katedrales, raporton EO.
Ndërkaq, me rastin e “Ditëve të Nënë Terezës”, në orën 15:00, në një ceremoni të veçantë, në Kabinetin e presidentes Osmani mbahet ceremonia e dekorimit të disa personaliteteve të shquara me medaljen për humanizëm “Nënë Tereza”.
Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.