Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Kushtetutës ka thënë se Kushtetuta e vendit është udhërrëfyese dhe se zbatimi i saj e ndihmon Kosovën drejt integrimit në familjen euroatlantike.
“Kushtetuta jonë është udhërrëfyese, ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpejton procesin tonë integrues drejt familjes së madhe euroatlantike”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.
Osmani ka thënë se në këtë ditë, “që është normë supreme, e cila përcakton identitetin dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike, rikonfirmojmë përkushtimin tonë institucional për zbatimin dhe afirmimin e këtyre vlerave”.
Sot bëhen 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit.
Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të gjithë qytetarëve të vendit.
Lexo më shumë: Sot Dita e Kushtetutës
Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë.
Kushtetuta e Kosovës, gjithashtu, mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj.