Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Lidhja e Prizrenit ishte një thirrje për bashkim kombëtar.
Në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Osmani tha se atdhetarët treguan një vetëdije të lartë kombëtare në mbrojtje të trojeve shqiptare, atëherë kur kombi shqiptar ishte në rrezik.
“Lidhja e Prizrenit i bashkoi shqiptarët e atëhershëm të katër vilajeteve dhe i artikuloi kumbueshëm qëndrimet politike të kombit shqiptar në një moment të rëndë të historisë tonë…ata dëshmuan vetëdije të lartë kombëtare, ata nuk pranuan që trojet shqiptare të mbeteshin në okupim dhe as që të bëheshin pre e fqinjëve gllabërues”, tha Osmani. “Ishte thirrje për zgjim dhe bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi…”
Ajo ka thënë se Lidhja e Prizrenit, të cilën e quajti “platformë nacionale”, mbetet një model i përhershëm që frymëzoi breza të tërë, njërin pas tjetrit.
“Lidhja e Prizrenit përvjetorin e së cilës po e shënojmë sot ka shërbyer si model i përhershëm nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh, e politikanësh. Dhe nga i cili kanë buruar projekte të tjera përbashkues të tipit nacional- kulturorë sikurse ai i viteve të 90-ta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, projektin më të madh modern të shqiptarëve”, ka thënë Osmani.
Tutje, Osmani tha se veprat e Lidhjes së Prizrenit mbesin një “brumë frymëzimi”.
Të shtunën e 10 qershorit mbushen 145 vjet që nga fillimi i organizimit dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor të vitit 1878.