Osmani: Luajtja bixhoz me aleancat cenon mbrojtjen e Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me aleancat e cenon mbrojtjen e Republikës së Kosovës.

Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës tha se nuk i ka kuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve e as përmendjen e emrave të tyre për të fituar pushtet teksa ka shtuar se bashkëpunimi me ta nuk nënkupton nënshtrim e as shantazhim.

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Rëndësia dhe forcimi i aleancave është i paçmueshëm. Dobësimi i aleancave është gabimi strategjik. Aleanca me ata që na ndihmuan ta kemi shtetin nuk është nënshtrim. Besoj që forca më e madhe e jonë qëndron te partneritetet. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me to e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Nuk i kam kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimet e emrave të tyre për të fituar pushtet… as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Duhet shumë punë dhe angazhim për të ruajtur aleancat me partnerët”, tha Osmani para deputetëve.

Osmani ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të amandamentojnë buxhetin për të përfshirë shtesat dhe mëditjet për ushtarakët e FSK-së.

“Ndaj, të nderuar deputetë, hapin e parë mund ta bëni qysh sot. Praktika e Kuvendit ju lejon, nëpërmjet procedurës së shmangies, të paraqisni amendamente edhe në seancë. Shfrytëzojeni këtë mundësi që të propozohet që buxhetit të FSK-së, t’i shtohet shuma e duhur në mënyrë që ushtarakët tanë të kenë shtesat e rrezikshmërisë, ato jashtë orarit të punës, si dhe mëditjet për trajnime mbi një muaj. Ky do të ishte kontribut i jashtëzakonshëm në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe një lajm i mirë në fundit për secilin që sot i shërben atdheut. Si alternativë, kjo çështje do të duhej të shqyrtohej në momentin e parë të rishikimit të buxhetit”, ka thënë Osmani gjatë adresimit në Kuvend.

Osmani tha se efikasiteti dhe efektiviteti i operacionalitetit të FSK-së, krahas ndjenjës së detyrës dhe përgjegjësisë ndaj kushtetutës dhe atdheut, është i ndërlidhur ngushtë edhe me shkallën e mirëqenies sociale e ekonomike të tyre dhe familjeve të tyre.

“Prandaj, edhe kam propozuar programin shtetëror për mbështetjen e FSK-së në 8 pika tashmë të publikuara, përmbushja e të cilave, në fazën finale të tranzicionit për kompletimin e aftësive dhe kapaciteteve të plota operacionale, do të ndikonte fuqishëm në ndërtimin e FSK-së edhe më profesionale, edhe më të motivuar, edhe më të fortë”, tha Komandatja Supreme e FSK-së.

Osmani, në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës tha se rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë. Ajo tha se binomi Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari forcuan themelet e shtetit dhe tha se “nuk ka forcë” që i rrënon ato.

“Po drejtohem për të 4-tin vit radhazi nga foltorja e Kuvendit në rolin e kreut të shtetit, në të cilin jam angazhuar për përfaqësimin e qytetarëve me dinjitet. Dhe do të angazhohem gjithnjë se në këtë rrugëtim të dalim përherë faqebardhë. Përfaqësimi i vendit tim përvexçse se është nder më i madh i jetës sime poashtu është edhe mishërim i besimit të qytetarëve. Duke na rikujtuar ditë pasdite përgjegjësinë që kemi, jo vetëm për të lartësuar vetën por shtetin. Jemi ku jemi me mision për të ecur para.  Për të fuqizuar shtetësinë tonë gjithnjë e më shumë, për të shtuar aleancat, dhe për të qenë vesh e sy si dhe mbështetje për secilin qytetar. Momenti që ia kemi dal është momenti kur thotë qytetarët thonë se jemi krenar për vendin tonë, për vlerat që përfaqëson si dhe për mundësitë dhe gjithëpërfshirjen që mundëson. Jo për shkak të ndonjë personi apo grupi politik. Ky është nderi më i madh ndaj Kosovës. Rruga deri te shteti që kemi sot, nuk ka qenë fare e lehtë, duke përfshirë edhe fëmijët në djep, për të frymuar lirshëm. Bashkëdyzimi i biomit Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së në njërën anë dhe ndërtimi i shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit të jenë të forta. Aq të forta sa nuk ka forcë dhe nuk ka sfidë që do të mund ti ndërrojë ato. Edhe sot, nderojmë aktin themeltar të Presidentit Rugova, dhe përkulemi përkulemi para sakrificës dhe guximit tëpashoq të Komandatit Legjendar, Adem Jasharit dhe familjes Jashari dhe çdo pjesëtari të UÇK-së.  Vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor qëndrojnë në themelet e shtetit tonë. Mbeten qëndrore edhe për të ardhmen tonë”, tha Osmani.

Presidentja ka bërë thirrje për besnikëri ndaj vlerave kushtetuese të vendit.

“Nuk do të thotë se nuk do të ketë goditje ndaj shtyllave të shtetit, por duhet të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur Kushtetutën – e cila mbetet më e moderuar. Patriotizmi kushtetues na duhet më së shumti. Në kohë të trazuara për botën, besnikëria ndaj parimeve të Kushtetutës është ajo që duhet të na bashkojë. Sot, siguria është parakusht qenësor për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe dinjitet.  Ajo që dëshmon pjekurinë tonë është të sigurohemi që politikat pasqyrojnë atë që është e drejtë, e duhur dhe jo atë që është politike, që është në interes afatgjatë, dhe jo në interes të një palë zgjedhjeve. Vizioni largpamës është ajo që i ka dalluar liderët e fortë”, ka deklaruar Osmani.

Tutje, Osmani ka “lavdëruar” punën që ka bërë si presidente prej kur mori mandatin.

“Kam punuar në thellimin e aleancave dhe partneriteteve të afërta dhe të largëta, jam angazhuar që Kosova të jetë shembulli pozitiv kur demokracitë qëndrojnë të bashkuar. Kam punuar në forcimin e shtetësisë tonë, paqes dhe stabilitetit dhe për ta forcuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për herë të parë jemi ftuar në samite dhe organizata ku Kosova nuk është fare anëtare, siç ishte samiti i NATO-s dhe organizime të tjera ndërkombëtare ku u dëshmua se madhësia e një shteti nuk definohet nga territori dhe populli, por nga rrëfimi, shembulli që japim dhe vlerat që mbrojmë. Politika jonë e jashtme proaktive ka adresuar interpretimin dhe veprimet dashakeqëse të Serbisë në atë se çfarë përfaqëson dhe çka është në të vërtetë Kosova. Kosova e lirë, sovrane dhe demokrative është realitet i pakthyeshëm”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur rastin e sulmit në Banjskë.

“Ende 424 ditë më pas nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë. Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve të rajonit për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.

Osmani beson se asnjë president që kur u shpall Pavarësia nuk i ka pasur dyert më të hapura në botë sesa ajo.

Adresimin vjetor të Osmanit në Kuvend e ka bojkotuar Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike Kosovës [PDK] dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK].

Shija e redaktorit

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Të fundit nga rubrika