Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Dubravës, duke thënë se kjo masakër është ndër krimet më të tmerrshme të regjimit kriminal serb në vitin 1999.
Presidentja Osmani ka shtuar se drejtësia për viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumfi i së vërtetës.
24-vjetori i Masakrës që gjatë periudhës 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë vrau 160 të burgosur shqiptarë brenda burgut dhe plagosi 300 të tjerë.
“Ata po mbaheshin në burg padrejtësisht si pengje të luftës, e në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare. Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës. Në këtë përvjetor, kujtojmë sakrificat, vuajtjet dhe mundimet e këtyre të burgosurve që kontribuuan për çështjen kombëtare, të cilët qëndruan stoikisht e nuk u thyen deri në frymën e fundit”, ka deklaruar Osmani.
Po ashtu, siç ka bërë të ditur Zyra e Presidencës, Osmani ka theksuar se kujtimi dhe respekti për ta është i përhershëm, si dhe përkushtimi për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë.