Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ndihmëssekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Todd D. Robinson, ka thënë se Kosova është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që ShBA-ja i ka ofruar institucioneve të Kosovës përgjatë viteve.
Në një konferencë të përbashkët për media me zyrtarin amerikan, e para e vendit ka theksuar se mbështetja e ShBA-së për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap të shtetndërtimit.
“Jemi të nderuar ta mirëpresim ndihmëssekretarin, kishim një takim pozitiv e përmbajtjesor. Kosova është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që i kanë ofruar institucioneve të Kosovës përgjatë viteve. Mbështetja e ShBA-së për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor strategjik dhe çdo hap të shtetndërtimit tonë”, ka deklaruar Osmani.
Osmani në këtë takim ka thënë se e ka informuar zyrtarin e lartë amerikan për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, anëtarësim që sipas saj do të jetë i pamundur pa mbështetjen e ShBA-së.
“Përgjatë viteve janë bërë reforma pozitive në institucionet përkatëse, e informova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, anëtarësim që do të jetë i pamundur pa mbështetjen e ShBA-së. Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol janë kriminelët, ka dëshirë dhe vullnet të përbashkët të Kosovës që ata t’i luftojmë deri në fund. Uroj që të shohim rezultatet e partneritetit tonë në drejtim të sukseseve të reja”, ka vijuar Osmani.
Sipas Osmanit, Kosova u detyrua të fillonte nga zero. Duke iu falënderuar ShBA-së, Osmani tha se në Kosovë janë sjellë disa programe që janë të rëndësishme për vendin.
Pas takimit, e para e vendit ka publikuar një fotografi me zyrtarin e lartë amerikan teksa ka thënë se mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë thelbësore për sukseset e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.
“Në takimin e sotëm me Ndihmës Sekretarin Todd Robinson, u dakorduam ta vazhdojmë punën drejt arritjes së qëllimit tonë të përbashkët: luftimin e krimit të organizuar transnacional me qëllim të garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani.