Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se Kosovës i është dhënë garanci për liberalizimin e vizave.
Në një takim me korrespondentë politikë gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani tha se një proces i tillë nuk do të ndalet, dhe këtë e thotë bazuar në deklaratat e institucioneve evropiane.
“Na janë dhënë garancitë e siguruara nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani. Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët, por, sigurisht, duke folur me institucionet evropiane”, tha presidentja, transmeton DW.
Tutje, presidentja Osmani ka thënë se kusht për zgjedhje të reja në komunat në veri të vendit duhet të jetë sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve lokalë në to.
Në një takim me korrespondentë politikë gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani tha se tashmë është kërkuar nga ndërkombëtarët që Serbia të mos ndërhyjë në zgjedhjet e një vendi tjetër.
“Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Osmani, transmeton DW.
Tutje, Osmani ka theksuar se Kosova ka propozuar realizimin e një vlerësimi nga ana e KFOR-it dhe EULEX-it për atë se a duhet bërë tërheqja e forcave policore në veri të vendit.
Siç raporton DW, Osmani ndodhet në Berlin me ftesë të presidentit, Frank Walter Steinmeier, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale (17-26.06.2023) për personat me aftësi të veçanta.
Osmani ka takuar edhe persona me rëndësi politike në Gjermani.
Parlamenti Evropian (PE) ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024.
Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180- ditore.
Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Ndryshe, tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.
Gjithashtu, pak ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat policore serbe. Policia e Kosovës ka publikuar hartat duke treguar se të njëjtit ishin kidnapuar në brendësi të territorit të Kosovës.
Tre policëve të Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Për më shumë nga Osmani dhe takimit të saj me korrespodentë në Berlin, kliko këtu.