Në 28 vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.
E para shtetit i quajti lajmëtar të lirisë dhe inspirues të brezave të UÇK-së. Osmani tha se puna me përkushtim ndaj shtetit, është nder për secilin hero që dha jetën për Kosovën.
“Nderojmë sot trimërinë dhe guximin e heroit, Zahir Pajaziti, i cili me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, u bënë lajmëtarët e lirisë sonë, të cilët jo vetëm dhanë jetën për lirinë e Kosovës por në të njëjtën kohë inspiruan edhe breza të tërë të UÇK-së që t’i bashkohen luftës sonë çlirimtare dhe të luftojnë për Kosovën, për popullin e saj, për lirinë e kësaj toke deri në çlirimin përfundimtar i cili erdhi në qershor të vitit 1999”.
“Ideali për të cilën luftoi Zahir Pajaziti me shokë, duhet të na shërbejë sidomos në ditët e sotme, sepse liria e sovraniteti nuk janë të mirëqena, ato vazhdimisht duhet të mbrohen e të mirëmbahen, prandaj duke punuar çdo ditë me përkushtim ndaj shtetit tonë e ndaj interesave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, ne i bëjmë nderë secilit hero që e dha jetën për Kosovë, përfshirë edhe heroin Zahir Pajaziti”, ka thënë presidentja Osmani.