Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës postmortem” rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht dje në veri në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës.
“Sot nderojmë një rreshter policie trim dhe vetëmohues që sakrifikoi jetën për mbrojtjen e qytetarëve tanë. Afrim Bunjaku dhe anëtarë të tjerë të policisë u sfiduan nga banda kriminale. Heroi ynë Afrimi ishte një shtyllë e fuqishme e Policisë së Kosovës. Ishte shërbyes i devotshëm i atdheut. Qëndroi i palëkundur në mbrojtje të ligjit e kundër grupeve terroriste të mbështetura nga Serbia, qëllimi i të cilëve ishte trazimi, jo vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, Republikën e Kosovës nuk do të arrijë askush ta gjunjëzojë deri “sa ka vajza e djem si Afrimi që e vendosin fatin e të gjithëve para fatit individual”.
Ndryshe, rreshteri policor, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24 shtator, pas një sulmi të armatosur nga grupet kriminale në fshatin Banjskë në Zveçan, të banuar me shumicë serbe.
Policia ka thënë se është sulmuar në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku është plagosur edhe një polic, ndërsa janë lënduar edhe dy zyrtarë policorë.
Të vdekur mbetën edhe katër sulmues.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, të dielën ka thënë se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri dhe e ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të këtij institucioni.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar gjashtë persona të dyshuar për përfshirjen e tyre në sulmin ndaj policisë. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë veprat terroriste.
“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit.
Sot, presidentja e Kosovës ka shpallur ditë zie në Kosovë, në nder të heroit Afrim Bunjaku.