Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit turk, Recep Taip Erdogan, është duke marrë pjesë në edicionin e këtij viti të Forumit Diplomatik në Antalya.
Në fjalën e saj presidentja Osmani tregoi për vuajtjet ndër vite të popullit të Kosovës, sidomos për luftën e fundit.
Ajo tha se përkundër që populli i Kosovës ka qenë viktimë e gjenocidit serb, prapëseprapë është zgjedhur dialogu si rrugë paqësore.
“Kemi tejkaluar pushtimin shekullor kemi qenë viktima të gjenocidit, viktima të krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në Ballkan, qindra gra të përdhunuara. Përkundër këtyre, kemi zgjedhur dialogun si rrugë paqësore”, tha ajo.
Ajo theksoi se ka qenë shumë e vështirë të zgjidhet paqja edhe në kohë lufte.
“Në vitet e 90-ta kur ishim viktima të gjenocidit, populli ynë zgjodhi edhe marrëveshjen e Rambujesë, edhe pse një pjesë nuk ishte ajo që kemi kërkuar, por që ishte zgjidhje paqësore dhe ndalte luftën”, tha ajo.
Tutje ajo tha se në kohë trazirash dhe, po ashtu, në paqe, Kosovës i qëndruan pranë miqtë ndërkombëtarë, të cilët e ndihmuan për shtetndërtim.
“Në kohë trazirash, tensionesh është shumë më rëndësi se kush qëndron krah teje. Fuqia jonë në ditët e mira dhe të këqija është fuqia e partneriteteve tona. Nëse kemi miq, kemi dorë që na ndihmon, kemi vende të botës që nuk mbyllin sytë ndaj vuajteve tua. Qëndrojnë përkrah teje për ta shpëtuar jetën”, tha ajo.
“Kemi ecur tutje, kemi arritur të sigurojmë lirinë tonë me sakrificën e popullit tonë, me luftën çlirimtare, kemi arritur njohje nga shtetet dërrmuese… Në 25 vitet e fundit, kam parë komunitetin ndërkombëtar që e ndihmojnë Kosovën që nga liria, dhe procesin e ndërtimit të paqes, e kemi pasur misionin më të madh të OKB-së, na kanë ndihmuar në shtetndërtim”, ka vijuar ajo.