Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojnë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Këto takime do të zhvillohen ndaras, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.
Sa u përket zhvillimeve në komunat në veri të Kosovës, Macron-i ua ka lënë përgjegjësinë autoriteteve kosovare.
“Ka një përgjegjësi të qartë të autoriteteve kosovare në situatën aktuale dhe mungesë respekti për një marrëveshje që është e rëndësishme dhe është mbyllur disa javë më parë”, ka thënë ai, të mërkurën.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kritika për Kosovën erdhën edhe nga radhët e SHBA-së me ç’rast, u anulua edhe pjesëmarrja e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”.
Serbët në veri kanë filluar protestën të premten e 26 majit. Të njëjtit nuk po lejonin kryetarët të futeshin në objektin e komunës. Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe ekipeve të gazetarëve.
Deri tani, dy vetura të RTV Dukagjini janë vandalizuar.