Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Fahrie Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, po qëndrojnë në New York, ku do të marrin pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit.
Përmes një videoadresimi, Osmani tha se Hoti, Krasniqi, Muqolli e Tahiri janë simbol i “forcës, i guximit, i mbijeteses dhe i sukseseve të republikës sonë.
“Do ta përfaqësojmë së bashku Kosovën tonë në mbledhjen e sigurimit, edhe pse është një ndër mbledhjet e rregullta që mbahen vazhdimisht për Kosovën, do të sigurohemi që të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve tanë, do të sigurohemi që të dëshmojmë se si Kosova vërtet është histori suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme”, tha Osmani.
Po ashtu, ajo theksoi se në seancë do të flasin për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe se do ta përsërisin kërkesën për drejtësi për viktimat e gjenocidit serb në vendin tonë.
“Do të sigurohemi që të tregojmë edhe për rreziqet e vazhdueshme të sigurisë për të cilat ne përballemi për shkak të veprimeve destibalizuese të Serbisë dhe po ashtu do të risim dhe do ta përsërimin kërkesën tonë të vazhdueshme për drejtësi. Fatkeqësisht 25 vite pas luftës akoma s’ka drejtësi për 13 mijë viktima civile, s’ka drejtësi për mijëra gra të dhunuara gjatë luftës nga forcat serbe, s’ka drejtësi për mijëra fëmijë që janë vrarë e s’ka përgjigje as për mijëra të zhdukur me dhunë që akoma janë në varreza masive në Serbi. Do të sigurohemi që e vërteta të dëgjohet dhe mbrohet”, tha ajo.
Këtë të hënë pritet të mbahet seanca e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku do të shqyrtohet raporti i ri gjashtëmujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit mbështetës të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Presidentja e Kosovës do ta përfaqësojë Kosovën, kurse prezent do të jetë edhe Aleksandër Vuçiq, i cili do ta përfaqësojë Serbinë.