Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund.
Osmani me ambasadorin, Westerlund diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet e sigurisë, si dhe raportet Kosovë-Suedi.
Në njoftim thuhet se u diskutua edhe për përpjekjet e Kosovës për avancimin e prezencës së saj ndërkombëtare.
“Në takim, Presidentja dhe ambasadori Westerlund diskutuan edhe për integrimin euroatlantik të Kosovës, me ç’rast Presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Suedisë në këtë drejtim. Duke qenë se Kosova është 100% e linjëzuar me politikat e BE-së si dhe duke marrë parasysh reformat e kryera në vend, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, Presidentja potencoi domosdoshmërinë e vlerësimit të shteteve aspiruese, përfshirë Kosovën, bazuar në merita. Në takim poashtu u diskutua edhe për përpjekjet e Kosovës për avancimin e prezencës së saj ndërkombëtare si dhe për hapat tutje sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare,” thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, presidentja Osmani dhe ambasadori Westerlund diskutuan edhe për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral midis Kosovës dhe Suedisë, përfshirë bashkëpunimin tregtar, investimet potenciale suedeze, bashkëpunimin në fushën e teknologjisë informative si dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.