Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve në New York, të premten e 23 shtatorit është takuar me presidentin e Letonisë, Egils Levits, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.
Në takim me homologun e saj të Letonisë, Osmani ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, situatën aktuale në Kosovë, rajon e më gjerë dhe pasojat e zhvillimeve të fundit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
“Diskutim konstruktiv me presidentin e Letonisë, Egils Levits. E falënderova për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, në veçanti në funksion të konsolidimit ndërkombëtar përmes anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe sigurimin e njohjeve të reja”, ka shkruar Osmani në Faceobok.
Në këtë drejtim, e para e vendit ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie.
Siç njofton Presidenca, në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe pasojat e tyre në raport me paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian.
Osmani ka thënë ndër të tjera se Kosova është tërësisht në linjë me qëndrimet e ShBA-së, Britanisë së Madhe, NATO-s dhe BE-së kundër luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.
Presidentja Osmani dhe homologu Levits diskutuan edhe për thellimin e raporteve bilaterale dhe ngritjes së tyre në nivel të partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit.