Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në samitin më të madh të teknologjisë në botë, në Web Summit që po mbahet në Lisbonë.
Osmani ka theksuar rritjen e shkëlqyer të sektorit teknologjik në vend, duke e pozicionuar atë si një shembull inspirues në fushën e teknologjisë informative.
Duke e krahasuar këtë zhvillim me “energjinë e jashtëzakonshme të rinisë sonë”, ajo ka vlerësuar kontributin e teknologjisë në avancimin e bashkëpunimit dhe komunikimit global.
“Sektori gjithnjë e në rritje i teknologjisë në Kosovë, i udhëhequr nga energjia e jashtëzakonshme e rinisë sonë, e pozicionon vendin tonë si një shembull inspirues në sektorin e teknologjisë informative”, ka deklaruara Osmani.
Në një postim në Facebook, presidentja Osmani ka përmendur angazhimin e tyre për të siguruar gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe etikën në çdo hap të rrugëtimit të teknologjisë informative.
“Teknologjia duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit dhe jo ta mbizotërojë atë”, ka shkruar ajo.
Osmani gjithashtu ka ndarë përvojën e saj në samitin e teknologjisë në Lisbonë, ku ka diskutuar kontributin pozitiv të teknologjisë në shpërndarjen e zgjidhjeve inovative në çdo sektor.