Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar në Librin e Zisë për Presidentin Jimmy Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë.
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se Osmani në Librin e Zisë për nderimin e Presidentit Carter ka shprehur ngushëllimet familjes dhe popullit amerikan, teksa ka shtuar se angazhimi i Presidentit amerikan ka qenë ” i përhershëm për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë”.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Carter dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të Presidentit Jimmy Carter.
Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave.
Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet. Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shembëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë”, ka shkruar Osmani.