Për nder të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët e shtetit kanë kryer homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vendosën buqeta me lule pranë varrezave të familjes Jashari, duke nderuar sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
Presidentja Osmani ka theksuar se sakrifica e familjes Jashari mbetet dritë udhërrëfyese për forcimin e Kosovës dhe frymëzim për brezat e rinj.
“Ata luftuan jo vetëm gjatë viteve të luftës, por shumë më herët, duke u shndërruar në emblemë të UÇK-së. Kullat e Jasharajve sot janë simbol i kalasë së lirisë, që mbron sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Nga ky vend, brezat e rinj inspirohen për ta ruajtur lirinë e fituar me gjak e sakrificë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar gjithashtu se përveç figurës së Adem Jasharit, nuk duhet harruar flijimi i grave dhe vajzave të familjes Jashari, duke e bërë sakrificën e tyre edhe më të shenjtë.
“Kjo rrugë dhe kjo sakrificë do të jenë për ne dritë udhërrëfyese për forcimin e Kosovës, e cila çdo ditë bëhet më e fortë”, ka shtuar Osmani.
Në homazhe morën pjesë edhe personalitete të tjera të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të qeverisjes lokale.