Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se asnjë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk është deklaruar kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ballkani Perëndimor ishte një ndër temat e diskutuara në samitin e 11-të të Brdo-Brijunit, në të cilin mori pjesë edhe Osmani krahas presidentëve të vendeve të tjera. Gjersa ka vlerësuar rolin e Sllovenisë dhe Kroacisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Osmani ka thënë se ky është momentumi më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave.
“Aktualisht nuk ka vend në Bashkimin Evropian që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave. Ky është momentum më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm dhe kemi mbështetjen e nikoqirit. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim për liberalizimin e vizave dhe pastaj në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që ky proces të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka theksuar se Kosova është një vend që përputhet plotësisht me aspiratat e Bashkimit Evropian, transmeton EO.
“Sa më shumë që është prezente prania e BE-së në Ballkan, aq më shumë paqe e siguri do të ketë në këtë rajon dhe në BE. Kosova do të jetë anëtare e barabartë e këtij rajoni. Si e tillë ajo ka dhënë propozimet që edhe janë marrë parasysh në këtë samit”.
Ndër të tjera, Osmani ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, për të cilin ka thënë se shpreson që të pranohet nga secili shtet i BE-së.