Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në seancën solemne për nder të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se për ngjarjet e 5,6,7 marsit përkushtimi qytetar dhe institucional kthehet nga këto ngjarje historike, të cilat kanë shënjuar kthesë vendimtare për shtetin e Kosovës.
E para e vendit ka thënë se kjo ngjarje historike është një ndër shtyllat më të forta që u ngrit shteti i Kosovës.
“Përkushtimi ynë qytetar dhe institucional kthehet nga ngjarjet historike, të cilat kanë shënjuar kthesë vendimtare për vendin tonë. Këto ngjarje janë pjesa më e rëndësishme e trashëgimisë tonë historike”, ka thënë Osmani.
“Brezat e tërë sakrifikuan më të shtrenjtën e tyre – jetën, ngjarjet e 5,6,7 marsit përbëjnë shtyllën më të fortë, në të cilën u ngrit shteti ynë i ri, Kosova. Komandanti legjendar, Adem Jashari, bashkë me familjen e tij fituan përjetësinë, kjo epope e UÇK-së është epope e unitetit, u përjetësua lavdia e UÇK-së dhe gjithë luftëtarëve të UÇK-së”, ka vijuar ajo.
Osmani ka thënë se në këtë betejë të lavdishme u përjetësua vendosmëria e familjes Jashari dhe e gjithë luftëtarëve të UÇK-së për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës.
“Në ditë si këto duhet të kujdesemi që fëmijëve tanë t’u flasim për familjen e Jasharit dhe fëmijëve që ranë për liri. Një çerekshekull më pas e kujtojmë sakrificën e kësaj familjeje, kështu u jemi mirënjohës të gjithë burrave të UCK-së, ata dëshmuan se përballë dhunës së skajshme bëhet e pamposhtur bindja e tyre për të jetuar të lirë”, ka theksuar Osmani.
Sipas Osmanit, beteja e Jasharëve u shndërrua në frymëzim për mijëra të rinj e të reja, që ndihmoi në mobilizimin e ndërkombëtarëve rreth shtetit të Kosovës.
“Beteja e Jasharëve u shndërrua në frymëzim për mijëra të rinj e të reja, që ndihmoi në mobilizimin e ndërkombëtarëve rreth shtetit të Kosovës. U shndërruan në thirrje për t’i mbrojtur vlerat njerëzore. Komandanti legjendar u ngrit për t’u bërë emblemë e përhershme e shtetit tonë. Le të frymëzohemi nga shembulli i tij dhe i gjithë luftëtarëve të UÇK-së, sepse përfundimisht ne jemi të lirë e ai është i gjallë. Zoti e bekoftë familjen Jashari dhe luftëtarët e UÇK-së”.