Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ka kërkuar që të ketë angazhim më aktiv lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, në mënyrë që të gjitha shtetet anëtare të votojnë pro liberalizimit të vizave.
Kjo, sepse siç ka thënë Osmani, deri më tani ka ekzistuar një diskriminim ndaj popullit të Kosovës.
“Së pari dhe kryesorja është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Ky proces për fat të keq është stërvonuar pavarësisht përmbushjes të të gjitha kritereve të kërkuara. Duhet të ketë një angazhim aktiv në mënyrë që të gjitha shtete anëtare të votojnë pro liberalizimit të vizave sepse deri tani ka ekzistuar një diskriminim i qartë ndaj popullit tonë, një padrejtësi e thellë, prandaj ne do të vazhdojmë të jemi të zëshëm deri sa të hiqet edhe pengesa e fundit në këtë drejtim”, është shprehur Osmani.
“Një Evropë e bashkuar, e lirë dhe në paqe është e paplotë pa Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor brenda BE-së. Ne i përkasim familjes evropiane, kemi qenë gjithnjë pjesë e familjes evopriane prandaj, është thelbësore që perspektiva e anëtarësimit e BE-së për rajonin tonë të mbetet e qartë dhe e dukshme”, shtoi ajo.
Osmani në një konferencë të përbashkët për media me presidentin Michel, ka thënë se plani i Kosovës është që gjatë këtij viti të aplikojë për vend kandidat në Bashkimin Evropian.
“Plani ynë është që të aplikojmë deri në fund të vitit për vend kandidat në BE, prandaj pres të punojmë së bashku në këtë proces”, shtoi ajo.
Osmani për dialogun: Zgjidhja e vetme që e vulos paqen afatgjate është njohja reciproke
Presidentja Vjosa Osmani lidhur me dialogun ka theksuar se Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë.
Osmani ka thënë se Kosova vazhdimisht është treguar jo vetëm si pjesëmarrëse por edhe konstruktive në dialogun me Serbinë.
“Çdo herë në nivele më të larta, Kosova është ulur përballë Serbisë, pavarësisht kush është caktuar si përfaqësues i Serbisë, duke dëshmuar se qëllimi ynë është që të kemi raporte të mira ndërfqinjësore”, ka thënë ajo.
“Zgjidhja e vetme që e vulos paqen afatgjatë është njohja reciproke. Vetëm kur Serbia ta njohë realitetin e Kosovës së pavarur, që nuk ka prapakthim, realitet që këtu është për të qëndruar përgjithmonë, atëherë do ta shohim paqen afatgjate përpara dhe hapa konkretë për të gjithë rajonin drejt anëtarësimit të BE-së”, shtoi ajo.
Osmani ka theksuar se Kosova deri më tani asnjëherë nuk ka qenë bllokuese e dialogut.
Përkundrazi, sipas saj, Kosova ka qenë pala konstruktive edhe në të kaluarën dhe do të mbetet e tillë edhe në të ardhmen.
“Për Kosovën dialogu me Serbinë nuk është vetëm një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar, por është proces jetik që i shpie të dyja vendet drejt BE-së. Megjithatë, procesi duhet të përqendrohet në njohje reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”, ka thënë ajo.
Ajo ka potencuar se BE nuk do të duhej të lejonte që dialogu të shndërrohet në instrument të Serbisë për ta minuar integrimin e Kosovës qoftë në mekanizma rajonal apo evropian.
A do të ndodhë liberalizimi i vizave brenda këtij viti?
Teksa është pyetur për deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili siç është raportuar, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të bëhet më 23 qershor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se “nëse liberalizimi ndodh më 23 qershor apo ndonjë datë tjetër është vullnet individual i shteteve anëtare”.
Ajo ka pohuar se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha shtetet e BE-së veç e veç.
“Dua ta rikonfirmoj që Kosova i ka plotësuar te gjitha kriteret. Janë edhe disa shtete nga të cilat po presim përgjigje përfundimtare. Prandaj do të varet shumë prej qëndrimit të tyre në javët në vijim, e sidomos në takimin në samitin që mbahet më datën 23. Nuk ka asnjë arsye që ky proces të bllokohet dhe nuk ka pasur. Do të vazhdojmë të punojmë intesivisht me shtetet anëtare”, shtoi presidentja.