Osmani nuk e dekreton për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufajn

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka dekretuar për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufajn

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media, 17 tetor 2023.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka dekretuar për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufajn.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se këtë të martë e ka njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me këtë vlerësim të mos bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror.

“Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit Kushtetues të institucioneve më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fondamentale të Kushtetutës sonë, sikurse edhe prodhon padrejtësi konkrete dhe diskriminim të mos rri duarkryq. Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me këtë vlerësim, i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet më obligon që të mos bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror”, tha Osmani.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial lidhur me vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion në përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit. Pas një periudhe të gjatë të kontestimin të këtij procesi në gjykatat e Kosovës, para pak ditëve është Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktgjykimin lidhur me këtë rast duke e konsideruar procesin e kontestimit si të pasafatshëm. Është me rëndësi të sqarohet se asnjë gjykatë nuk i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtjesor. Përgjatë gjithë procesit jam përkujdesur maksimalisht që me veprimet e mia ta shmangë çfarëdo ndërhyrje në drejtësi, prandaj jam përmbajtura nga çfarëdo vendimmarrje që do të cenonte proceset para gjykatave apo afatet kohore që i kanë pasur në dispozicion kundërkanditatë”, tha Osmani.

Osmani thekson se përkundër zgjatjes së këtij procesi si pasojë e ankesave të shumta në gjykata, ka pasur funksionim të rregullt të institucionit të kryeprokurorit të shtetit përmes ushtruesit të detyrës.

“E dyta Kosova ka pasur ushtruesin e detyrës të kryeprokurorit të shtetit gjatë kësaj periudhe. Funksionimi kushtetues i institucioneve ka si parakusht të patejkalueshëm respektimin e procedurave kushtetues e ligjore të secilit institucion pa dallim. Konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore. Vlerësimi i institucionit që drejtoj lidhur me këtë çështje është bërë gjithnjë brenda mandatit tim kushtetues ky vlerësim ka evidentuar të gjitha shkeljet”, shtoi ajo.

Ajo tha se është kërcënuar nga disa zyrtarë të drejtësisë, duke i thënë se do t’i ngrisin aktakuzë e gjëra të tjera, vetëm që ta dekretojë Isufajn kryeprokuror.

“Shqetësuese është kur zyrtarët e drejtësisë mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratike ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit, prandaj vetingu është i nevojshëm. Ato janë presione të paligjshme që mendojnë që duke kërcënuar kreun e shtetit mund të marrin nënshkrime, e nuk do të marrin me presione të tilla vetëm me vlerësime të ligjit dhe kushtetutës, jam e pavarur nga çdo ndikim tjetër, por jam e varur nga ligjet e Kushtetutës”, tha ajo.

Osmani, tutje tha se vendimi i saj për të mos e dekretuar Isufajn si kryeprokuror, është legjitim dhe se nuk ka asnjë arsye për ta dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo tha se nëse bëhet diçka e tillë bëhet për betejë politike dhe jo për parime.

“Unë i inkurajoja deputetët ta lexojnë këtë dokument, ku janë të evidentuara të gjitha shkeljet në përzgjedhjen e kryeprokurorit. Nuk merremi me emra merremi me procedurën. Kushdo që e lexon këtë dokument, e sheh që sa masive janë shkeljet, nuk do ta merrte përsipër ta dërgonte në Gjykatë Kushtetuese, nuk ka bazë ligjore për të kontestuar diçka që në fakt merret pikërisht për të kthyer ligjshmërinë e kushtetutmërinë. Nëse për arsye politike vendosin ashtu, kjo atëherë është betejë politike. Kushdo që do betejë politike me mua, betejë politike do të ketë”, tha ajo.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika