Presidentja e Republikës së Kosovës ka vlerësuar organizatën “Paneuropa” duke thënë se kjo e fundit ka mbështetur popullin e Kosovës në kohët më të vështira të tij.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka kujtuar kohën kur Otto von Habsburg u bë një nga kampionët më të fortë që avokonte për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë.
“Në 100-vjetorin e themelimit të lëvizjes Paneuropa, pata nderin t’i drejtohem lëvizjes më të vjetër evropiane për një Evropë të bashkuar politikisht dhe ekonomikisht. Paneuropa e ka mbështetur popullin e Kosovës në kohët më të vështira, në vitet ’90, kur Otto von Habsburg, një mik i madh i Presidentit Rugova dhe i popullit tonë, u bë një nga kampionët më të fortë që avokonte për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë”, ka shkruar Osmani gjersa ka theksuar se ndonësepas një shekulli veprimtarie, Paneuropa vazhdon të jetë platformë e fuqishme për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe paqësore.
Krahas kësaj, ajo ka thënë se kultivimi i vlerave të kësaj organizate, rrit mundësinë e stabilitetit, demokracisë dhe paqes në Evropë.
“Sa më shumë i kultivojmë vlerat të cilat i promovon kjo organizatë, aq më shumë do të ketë stabilitet, demokraci dhe paqe në Evropë. Para miqve të Paneuropës theksova se, është tepër e rëndësishme që Evropa po dëshmon vendosmëri, duke qëndruar e bashkuar përballë agresionit, tiranisë dhe autokracisë”, ka shkruar Osmani.