Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në deklaratën e saj para hyrjes në Samitin e Bashkimit Evropian, ka deklaruar se dëshiron një mesazh të qartë nga familja evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij.
Ajo ka theksuar se qytetarëve të Kosovës u duhet një zë i qartë nga BE-ja, teksa ka shtuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Osmani ka potencuar se qytetarëve të Kosovës duhet t’iu mundësohet lëvizja e lirë.
“Sigurisht shpresojmë, megjithatë nuk dua t’i rris pritshmëritë në këtë moment kohor, sepse ky proces nuk është më në duart tona. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket liberalizimit të vizave vite më parë”, ka thënë Osmani.
Presidentja e vendit ka theksuar se mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, është një padrejtësi e madhe.
“Shpresoj që BE do të japë këtë mesazh të qartë sot, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave qe një kohë të gjatë, nuk është në dorën tonë, është në dorën e BE-së”.
“Jam këtu për të folur në emër të Kosovës, aty edhe ku përkas. Ne kemi kontribuuar në vlerat e Bashkimit Evropian të cilat qëndrojnë sot, jam këtu për të dërguar një mesazh të fortë nga njerëzit e Kosovës, që kanë nevojë për një mesazh të bashkuar nga BE, sepse sa më shumë hapësirë që mbetet, do të ndikojnë edhe faktorë të tjerë”, ka deklaruar presidentja.
Ajo është shprehur pro Ukrainës dhe Moldavisë për anëtarësimin e tyre në BE.
“Ne i përkrahim, Ukrainën dhe Moldavinë, ata e meritojnë, sikurse njerëzit e Kosovës, sikurse ata njerëz që japin jetën e tyre për t’u gërshetuar në vlerat e Bashkimit Evropian. Është një moment gjeopolitik, kur edhe Ukraina edhe Moldavia, dhe Kosova do të duhej të shfrytëzonin këtë mundësi t’i bashkohen BE-së”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani përkrah perspektivën euroatlantike.
“Perspektiva euroatlantike, i përmbys të gjitha perspektivat e tjera, ne qëndrojmë në këtë perspektivë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të jenë këtu sot, të tregojnë zërin e njerëzve të tyre”.
“Ata që janë në rrugën e Putinit, nuk e meritojnë të jenë në rrugën e Bashkimit Evropian”, përfundoi ajo.
Ndryshe, liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian (BE), do të takohen në samitin dyditor në Bruksel, të paraprirë nga një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor fillon në orën 09:30 në ndërtesën e Këshillit Evropian.