Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar që sfidat aktuale politike dhe të sigurisë t’i tejkalojë me partnerë dhe aleatë.
Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se nëpërmjet bashkëpunimit me Holandën e Luksemburgut, do të ndërtohet partneriteti më i fortë, nga i cili, sipas saj, përfitojnë tri shtetet.
“Kënaqësi që mirëprita në Prishtinë, kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel. Duke eksploruar rrugë të reja bashkëpunimi dhe duke nxitur lidhjet ndërmjet qytetarëve të Kosovës me ata të Holandës dhe Luksemburgut, do ta ndërtojmë një partneritet edhe më të fortë, nga i cili, do të përfitojnë të tri shtetet”, tha ajo.
Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut kërkuan që Kosova t’i përmbahet planit të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kryeministri holandez, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, të martën u takuan në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë një konference për media, Rutte tha se mënyra më e mirë për ta shtensionuar situatën është që palët t’i përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se stabiliteti rajonal është çështje shumë e rëndësishme.
“Sot kemi shprehur brengat tona për rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Holanda e Luksemburgu tentojnë që përmes dialogut të shtensionohet situata dhe të normalizohen raportet mes dy shteteve. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, por po ashtu për prosperitetin e integrimit drejt BE-së”, tha kryeministri holandez.
Bettel po ashtu bëri thirrje për uljen e tensioneve, duke theksuar se të gjitha palët duan shtensionim.
“Udhërrëfyesi nga [i dërguari i BE-së për dialogu, Mirosllav] Lajçaku dhe [shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph] Borrelli, paraqet po ashtu për ne hapat e rëndësishëm për të vazhduar përpara. Ne duhet të shmangim çdo krizë të re të mundshme”, tha Bettel.
Kurti tha se Kosova dëshiron raporte të mira fqinjësore me Serbinë. Kryeministri kosovar tha se për këtë kërkohet që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti.
Vizita e Rutte dhe Bettel në Prishtinë vjen pasi një ditë më herët ata qëndruan në Beograd, ku zhvilluan bisedime me krerët shtetërorë serbë.