Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 25-vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit të Drenicës.
“Kjo ditë tmerri shënoi fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë në vatrën e rezistencës, në Drenicë”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se kjo masakër ka intensifikuar edhe më luftën çlirimtare të djemve dhe vajzave të UÇK-së, “të cilët nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit”.
“Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kujtimi për të rënët nuk zbehet kurrë. Nuk do të ndalemi derisa drejtësia të vendoset dhe autorët të marrin dënimin e merituar”, ka shtuar presidentja Osmani.
“Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrën e Likoshanit dhe atë të Qirezit!”, ka theksuar Osmani.