Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar ish-presidentin, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 78-të të ditëlindjes.
E para e vendit ka thënë se ish-presidenti Rugova, ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj, gjersa ka shtuar se “me urti e dije të pashoqe, ai arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për të jetuar të lirë, në tokën e tyre e në shtetin e tyre”.
“Sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriu i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka shkruar Osmani, në Facebook.
Tutje, Osmani ka thënë se udhëheqja e Rugovës është shembull e model, i cili duhet të kujtohet çdo ditë.
“Udhëheqja e tij është shembull e model, të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë, e me të cilin, duhet të mishërohemi, në mënyrë që vizionin e Presidentit Rugova për shtet ta bëjmë edhe më kuptimplot, duke e jetësuar çdo ditë atë”.
Ndryshe, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 78-të të ditëlindjes, duke thënë “se është i nderuar që ka punuar me të”.