Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se arsyet e mosliberalizimit të vizave për vendin kanë qenë çështje “puro” të brendshme të dy apo tri shteteve që e kanë bllokuar këtë proces deri më tani, duke e theksuar shtetin e Francës.
Kështu është shprehur Osmani në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ku ka thënë se pas përfundimit të zgjedhjeve në Francë, kjo çështje do të mund të shtyhet përpara.
“Franca në momentin që ne kemi ardhur në pushtet i ka shprehur disa shqetësime për çështje që kanë të bëjnë me fushën e punëve të brendshme, që të gjitha janë trajtuar në afat rekord, dhe vetë institucionet e Francës më kanë informuar se janë të impresionuar me këto punë”.
“Publikisht presidenti Emmanuel Macroni nuk ka thënë se nuk do t’iu japë vizat, ne duhet të presim të përfundojnë zgjedhjet në Francë dhe pas zgjedhjeve kjo çështje do të mund të shtyhet përpara, nuk do të jap datë sepse ky do të jetë vendim i këtyre shteteve individualisht dhe jo vendim i joni”, është shprehur ajo.
Kur pyetet se çfarë po bëjnë për pesë vendet evropiane që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur, Osmani ka potencuar se po punojnë shumë afër me to edhe direkt si institucione por edhe përmes partnerëve ndërkombëtar.
“Megjithatë, rritja e numrit të njohjeve nëse duam ta lidhim me anëtarësim në organizata evropiane, nuk mund të fokusohet vetëm në Evropë sepse shpesh herë na duhen edhe votat e kontinenteve të tjera”, ka thënë ajo.
Osmani ka treguar se lidhur me çështjen nuk po mungon as puna e as angazhimi i institucioneve të vendit.
“Këtu nuk mungon as puna as angazhimi, mirëpo gabimet që janë bërë në të kaluarën kur komplet suksesi jonë në politikën e jashtme është bërë i varur nga procesi i dialogut duke iu thënë pesëshes evropiane ju pritni se çfarë po bëjmë ne në dialog e pastaj merrni vendime na ka dëmtuar shumë sepse shumica e vendeve e ndërlidhin procesin e njohjes me procesin e dialogut Kosovë-Serbi”.
Megjithatë, për presidenten Osmani, liberalizimi i vizave me Kosovën nuk nënkupton se do të shkojnë emigrant nga Kosova ilegalisht.
“Problemi është që Kosova nuk mund të krahasohet me vendet e tjera të cilat kanë krijuar probleme të tilla sepse edhe sot nuk është në top 40shen e vendeve që prodhon emigrantë, Kosova është diku krejt në fund të listës”.
Ajo ka thënë se në krahasim me shtetet e tjera Kosova prodhon shumë pak emigrantë.
“Për Kosovën nuk ka asnjë frikë të vetme, jemi duke u marrë me këtë çështje, po shpresoj të shohim rezultat konkret”, shtoi ajo.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur janë Çipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.