“Ende askush nuk është vënë para drejtësisë”, për masakrën e dy majit të vitit 1999 në Studime të Vushtrrisë, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e 23-të të kësaj masakre.
Sipas një njoftimi për media nga zyra e presidentes, thuhet se gjenocidi i kryer, tregon qartë për një krim monstruoz.
“Që nga fëmija 5 vjeçar, nëna shtatzënë e deri te më i moshuari, u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal serb brenda dy orësh. Kjo tregon qartazi për një krim monstruoz të planifikuar dhe për të cilin fatkeqësisht ende askush nuk është vënë para drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Masakrën e Studimes, presidentja Osmani e ka konsideruar si ndër ato më të tmerrshmet, që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
“Nderimi për të rënët është obligim i yni, krahas angazhimit që autorët e krimit të vihen para drejtësisë”, ka theksuar Osmani në përkujtimin e saj.
Njëjtë, sikurse presidentja, edhe kryeministri Albin Kurti, ka thënë se akoma nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikë për këtë masakër.
Ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikë për masakrën e 2 majit 1999 në Studime, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e 23-të të kësaj masakre.
“Ajo që rëndon edhe më tepër, është se sot, 23 vjet pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikë për këtë masakër. Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Vetëm heshtje”, është shprehur Kurti.
Kurti, të hënën, në akademinë përkujtimore për këtë masakër ka thënë se 116 civilë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e gra, janë vrarë për rreth një orë e gjysmë.
“Krejt kjo ka ndodhur prej orës 20 deri në ora 21 të mbrëmjes. Përafërsisht, një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por tek i gjithë populli”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, familjarë e banorë të Studimes, këtë të hënë u mblodhën për t’i përkujtuar mbi 100 persona, të cilët u vranë e masakruan mizorisht nga forcat serbe, 23 vjet më parë.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shkuar të hënën në Studime të Vushtrrisë, me rastin e përvjetorit të 23-të, të masakrës së kryer nga forcat paramilitare të Serbisë mbi popullsinë civile shqiptare.
Ai ndër të tjera ka shtuar se, në Studime, krimet çnjerëzore të një ushtrie të etur për gjak e masakra mbi civilë të pambrojtur vazhduan edhe mbi familjet Gërguri, Rashica, Sfarça e shumë familje të tjera.
I pari i PDK-së, ka përkujtuar 23 vjetorin e masakrës së Studimes