Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësamabasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alyson Grunder, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, në nder të viktimave të 11 shtatorit të vitit 2001, në SHBA.
Pas homazheve, presidentja Osmani ka thënë se nga sulmi i 11 shtatorit nuk u sulmuan vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por të gjithë që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë.
“Më 11 shtator 2001, shtetasit amerikanë, qytetarët e SHBA-së, u goditën nga një prej sulmeve terroriste më të tmerrshme në histori të njerëzimit. Por, atë ditë nuk u sulmua vetëm Amerika, u sulmuam të gjithë që besojmë në të njëjtat vlera. Në vlerat e lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani gjersa ka theksuar se qysh atëherë, populli i Kosovës çdo vit ka qëndruar me popullin amerikan, duke bashkuar forcat në mbrojtje të këtyre vlerave dhe luftës kundër terrorizimit.
“Do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku me miqtë e aleatët tanë në SHBA, ashtu siç ka qëndruar SHBA-ja pranë nesh në çdo moment”, ka thënë Osmani.
Më vonë të dielën, përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se 11 shtatori vazhdon t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së botës demokratike që të mobilizohet kundër të keqes së përgjithshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmi i 11 shtatorit ishte një sulm që ndryshoi botën.
Njëherësh, Kurti tha se SHBA-të kanë dëshmuar që janë një komb i lirë dhe i njerëzve të barabartë e që nuk bëjnë kompromisë me vlerat e tyre.
“Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan dhe SHBA-ja e dëshmoi edhe pas 11 shtatorit se është komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bën kompromis me vlerat e saj”, ka thënë Kurti.
Pjesë e homazheve në nder viktimave nga sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 ishte edhe zëvendësamabasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alyson Grunder. Gjersa ka thënë se është nderi i saj t’i përfaqësojë SHBA-të, ajo është shprehur mirënjohëse ndaj solidaritetit që Kosova ka treguar në 21-vjetorin e sulmeve në New York.
Ajo ka treguar se në Pejë do të mbahet një ceremoni përurimi për një shtyllë të dhuruar nga departamenti i zjarrfikësve të New Yorkut, të cilin e ka cilësuar si një simbol të lidhjes së fortë në mes Kosovës dhe SHBA-ve.
“Jemi me fat që kemi një partneritet kaq të qëndrueshëm me Kosovën”, ka thënë ajo.
Pjesë e homazheve ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
“Sot Republikë e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, qëndron partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. Qoftë e bekuar gjithmonë miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ajo në Facebook, më vonë të dielën.
Të dielën e 11 shtatorit janë shënuar 21 vjet nga sulmi i 19 individëve, përkatësisht, 15 nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Katër aeroplanë kryen sulme duke goditur Kullat Binjake në Nju Jork, Pentagonin në Uashington dhe një avion u rrëzua në Pensilvani. Nga ky sulm mbetën të vdekur afër 3 mijë persona.