Osmani për urën e Ibrit: S’kemi arsye të kemi konflikte me aleatët tanë

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që hapja e Urës së Ibrit në veri të realizohet në mënyrë që të shmanget çdo konflikt me aleatët e Kosovës, veçanërisht NATO-n. Ajo theksoi se kjo çështje nuk duhet të diskutohet me Serbinë në Bruksel

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që hapja e Urës së Ibrit në veri të vendit të realizohet në mënyrë që të shmanget çdo konflikt me aleatët e Kosovës, përfshirë NATO-n dhe misionin e saj në Kosovë, KFOR.

Osmani ka theksuar rëndësinë e sigurimit që ura të mbetet e hapur pa shkaktuar tensione të reja që mund të kërkojnë prani të shtuar të NATO-s.

“Ura duhet të hapet, por duhet të sigurohemi që kur hapet mbetet e hapur, e jo kur hapet nxit prezencë të NATO-s më të madhe në të. A është në interes të Kosovës të shohim konflikt mes Policisë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar në tokë që pajtohet me të. Duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodh. Nuk ka arsye që të kemi konflikte me aleatët tanë”, ka thënë Osmani.

Deklaratat e zëdhënësit të BE-së – se çështja hapjes së urës së Ibrit duhet të diskutohet në Bruksel – Osmani i ka quajtur raciste dhe ka theksuar se ato nuk meritojnë më shumë vëmendje.

Osmani e ka bërë të qartë se kjo çështje nuk duhet të diskutohet në dialogun me Serbinë në Bruksel, duke theksuar se Kosova nuk duhet të lejojë që Serbia të ketë ndikim në çështje të brendshme të vendit.

“Deklaratat e zëdhënësit të BE-së janë raciste, as nuk meritojnë më shumë vëmendje. Jam deklaruar në raport me ato deklarata raciste, nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës në Bruksel. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njëjtë sikur zëdhënësi nga Sllovakia që nuk e pyet asnjë shtet fqinj kur e kalon urën e vet”, ka shtuar Osmani.

“Nuk pyetet Serbia për Urën tonë. Dialog nuk do të duhej të pranonte askush për këtë temë. Dialog me shpëtimtarët tanë, jo vetëm që është e nevojshme, është në interesin tonë mbi të gjitha”, ka shtuar Osmani.

Ndërkaq, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë Hovenier.

E misioni paqeruajtës, KFOR-i, mesa duket nuk ka arritur të bindet për të ndryshuar qëndrimet për urën.

Në një komunikatë për medie, KFOR-i ka kërkuar që çdo vendim që lidhet me këtë urë të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar, duke shmangur deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione në rajon.

KFOR-i njofton se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë.

“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së… Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Në mes të këtyre deklaratave, kryeministri Albin Kurti ka deklarauar se hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt.

Aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë është hapja e urës, theksoi Kurti.

“Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka thënë Kurti.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika