Osmani për ushtarët e rinj të FSK-së: Krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ushtarëve të rinj u ka thënë se ndihet krenare që ata janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe njëkohësisht, u ka bërë thirrje që të bëhen shembull të ushtarakëve profesionistë me moral dhe ndershmëri të lartë

Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e certifikimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka thënë se ndihet krenare që ata janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që sot në këtë ceremoni të veçantë ndajmë së bashku emocionet e festës dhe kurorëzimit të madh të 325 djemve e vajzave tona të gjeneratës të vitit 2023 të Forcës së Sigurisë së Kosovës…Jam krenare që sot ju mbani uniformën e forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jam krenare për hapin e parë që hodhët në pragun e komandatës së doktrinës së stërvitjes, duke prekur ëndrrën për t’u bërë ushtar e ushtare të FSK-së”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se besnikëria e nderi janë mishëruar në shërbimin e tyre ndaj vendit.

“Besnikëria, nderi, integriteti dhe guximi tashmë janë mishëruar në shërbimin tuaj ndaj vendit”, është shprehur presidentja.

Osmani u ka bërë thirrje atyre që të bëhen shembull të ushtarakëve profesionistë, me moral, integritet, dinjitet dhe ndershmëri të lartë.

“Sepse aty do të keni çelësin e mirëbesimit të ndërsjellë që si ekip të arrini të maksimizoni energjinë tuaj për realizimin e detyrave tuaja”, ka thënë tutje Osmani.

Presidentja ka shtuar se gjithmonë ka qenë e interesuar për statusin e mirëqënies sociale dhe ekonomike të personelit ushtarak të FSK-së, krahas mirënjohjes që ka për kontributin e tyre në shërbimin ndaj Kosovës.

“Bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e sigurisë së vendit dhe me qëllim të avancimit dhe ngritjes së statusit zyrtar dhe përmirësimit të mirëqënies socio-ekonomike të pjesëtarëve të FSK-së, gjatë këtij viti, me ekipin tim kemi punuar në hartimin e propozimit për një program shtetëror që bazohet në shtatë shtylla kyçe, si në vijim:

E para është realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, e dyta është realizimi i pagesave të punës me ndërrime apo kujdestarisë jashtë orarit, e treta është shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, e katërta është ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak për shërbime deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët tanë dhe familjet e tyre – për familjet e ushtarëve të FSK-së dhe PK-së të rënë në detyrë, si dhe për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranët e UÇK-së, e pesta është përmirësimi i cilësisë së ushqimit dhe transportit, e gjashta është sigurimi i banimit të përballueshëm përmes një programi të veçantë dhe e shtata është krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së”, ka shtuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika