Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po merr pjesë në një Forum diskutimi në Slloveni, ka ripotencuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.
Sipas Osmanit, janë disa shtete të Bashkimit Evropian, të cilat ajo i ka cilësuar si “zëra të vetmuar”, të cilat dëshirojnë ta kthejnë procesin e liberalizimit të vizave në pikën zero, kjo sipas Osmanit është e papranueshme për Kosovën.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, ne presim që BE-ja të marrë masa sepse i kemi plotësuar kushtet. Janë disa zëra të vetmuar në BE që thonë ‘ta kthejmë procesin në zero dhe ta rivlerësojmë’. Kjo për ne është e papranueshme”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Presidentja Osmani, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara nga BE-ja, madje më shumë sesa vendet e tjera.
“Imagjinoni sikur edhe vendet e tjera të jenë të detyruara ta bëjnë këtë. Ne kemi qenë të detyruar që t’i përmbushim 94 kushte, pra më shumë se vendet e tjera. Ajo që kemi nevojë tani është që Komisioni Evropian të thotë ‘PO’. Ne duam të jemi optimistë dhe shpresojmë që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt”, ka vijuar presidentja Osmani.
Presidentja e Kosovës ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkan, ku sipas saj Rusia përmes Serbisë po tenton ta shtrijë ndikimin e saj edhe në shtetet e tjera.
“Serbia në vend që të orientohet kah BE-ja, është kthyer nga Moska. Duket qartë së po tenton të ecë në dy rrugë në të njëjtën kohë, por këto rrugë janë në drejtime krejt të kundërta”.
Ajo foli edhe për vendet e tjera, si Bosnjën e Hercegovinën, për të cilin tha se bashkë me Kosovën duhet të jenë pjesë të NATO-s.