Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin Ilir Konushevci dhe mjekun Hazir Malajn në 25-vjetorin e rënies së tyre.
Në njoftimin e presidencës thuhet se Ilir Konushevci ishte luftëtar i paepur, që kauzën e tij për lirinë e Kosovës e kishte transformuar në veprim konkret ushtarak që nga vitet e 90-ta.
“Njeriu i pushkës ishte edhe bartësi kryesor i procesit të furnizimit të UÇK-së me armatim nga Shqipëria në Kosovë”, ka thënë presidentja Osmani.
Ndër të tjera, thuhet se 25-vjet më parë, Ilir Konushevci bashkë me mjekun Hazir Malajn, në përcjellje të një kamioni me armë që do të dërgoheshin drejt Kosovës, u vra në një pritë të organizuar.
“Gjeneral Iliri u vra, por jo edhe ëndrra e tij për Kosovën e lirë. Pushkët e tij e bën Kosovën të lirë, e përmbushën testamentin e tij dhe e përjetësuan idealin e brezave për liri dhe Republikë. Zbardhja e autorëve të vrasjes së tij dhe përballja me drejtësinë do t`i jap kuptim lirisë për të cilën ra Iliri”, thuhet tutje.
Ilir Konushevci dhe mjeku Hazir Mala shënojnë 25-vjetorin e rënies së tyre nga forcat serbe.
Më 13 maj 1992, Ilir Konushevci bashkë me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.
Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Njësiti “Shqiponjat“ pranon që t’i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”.
Në qershor të vitit 1996 Konushevci me këtë njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.
Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Haziri, kalojnë në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga këtu vendosin që të kalojnë në Shqipëri.
Nga ajo kohë, Iliri ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar deri në fund për çlirimin e Kosovës.
Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.
Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera.
Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.
Më 16 tetor 1997 vritet dhe Ardiani, gjatë një sulmi të Stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Pejës.
Vrasja e tij ishte një humbje e madhe për shokët, për UÇK-në e veçanërisht për Ilirin.
Më pas, Iliri ngarkohet me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës sa punoi në këtë detyrë, ai hyri në Kosovë mbi 30 herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm.
Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdoherë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998.
Ai u vra në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.
Vrasja e tij shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.