Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ripërsëritur qëndrimet e saj mbi veprimet e Policisë së Kosovës në veri të vendit, por kësaj radhe, në takim me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në njoftimin e publikuar nga Zyra e Presidentes, bëhet e ditur se Osmani ka thënë se veprimet e policisë mbesin legjitime, gjersa përmendi edhe rëndësinë e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.
“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtar dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm. Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet qytetar duke ruajtur karakterin multietnik të saj dhe institucioneve të saj”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë se veprimet kriminale në veri të mbështetura nga Serbia, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të rinj të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat.
“Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakuum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit te kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, thuhet në njoftim.
Të premten, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se veprimet e Policisë së Kosovës mbesin legjitime. Ajo ka theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm dhe si i tillë, mbrohet.
Ishte të premten dita kur kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, një ditë pas betimit të tyre, u futën në zyrat e tyre në komuna, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.
Një masë e tillë erdhi pasi banorët lokalë serbë kundërshtuan shkuarjen e tyre aty, në zyrat që dikur përdoreshin nga zyrtarë serbë.
Nën tensionet e situatës, protestuesit hodhën gurë, dogjën veturat e Policisë së Kosovës e njëherit, gjatë grumbullimit të tyre u dëgjuan të shtëna armësh. Këto veprime të tyre detyruan Policinë që të përdorte gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit.
Megjithatë, të gjithë kryetarët e komunave veriore arritën që me asistimin e Policisë të hynin brenda komunave.
Situatat e së premtes nxitën reagimet e ndërkombëtarëve, me ç’rast, të njëjtit shprehën shqetësimet dhe kritikat e tyre ndaj atyre që i quajtën “masa të dhunshme”.