Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, u ka uruar gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës nisjen e një rrugëtimi të ri në shërbim të vendit.
Në fjalën e saj në ceremoninë e diplomimit, Osmani ka deklaruar se me parimet e tyre, policët tashmë kanë dëshmuar aftësitë e tyre për t’i shërbyer vendit.
“Të diplomosh në Akademinë e Policisë nuk është një arritje e vogël. Ajo kërkon disiplinë, këmbëngulje dhe një dëshirë për të mbështetur parimet e drejtësisë, të sigurisë dhe të shtetit të së drejtës. Ju keni dëshmuar se zotëroni cilësitë e nevojshme për të shërbyer si gardianë të shtetit dhe qytetarëve tanë..”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka theksuar se është e rëndësishme që Republika e Kosovës të bëhet anëtare fuqiplotë e Interpol dhe Europol, duke theksuar se një gjë e tillë do të përmirësonte bashkëpunimin ndërkombëtar. Sipas saj, tashmë Policia e Kosovës e ka treguar veten.
“Policia e Kosovës është ndërtuar dhe zhvilluar sipas modeleve, vlerave dhe standarteve më të avancuara të vendeve demokratike perëndimore”, ka deklaruar Osmani.