Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark.
Në këtë takim me ambasadorin Wigemark, presidentja Osmani ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave.
“Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, njofton Presidenca.
Gjatë kӕtij takimit, presidentja Osmani ka dekoruar shefin e EULEX-it me medaljen presidenciale për sundimin e ligjit. Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.
“Presidentja Osmani falënderoi EULEX-in për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit ekzistues për këshillim, mentorim dhe monitorim”, njofton tutje Presidenca.
Në njoftimin e Presidencës mes tjerash thuhet se dekorimi me medaljen presidenciale për sundim të ligjit “paraqet vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës ndaj Ambasadorit Wigemark dhe EULEX-it për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt në Kosovë”.