Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e 15 dhjetorit gjatë adresimit të saj, drejtuar deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës, e të cilat sipas Osmanit i shpreh përmes financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale.
Gjatë fjalimit të saj, Osmani theksoi se Kosova është e vendosur që të krijojë siguri dhe sundim të ligjit në çdo cep të territorit të saj
“Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë edhe atyre në veri për të jetuar të lirë. Bandave kriminale nuk u pëlqen vendosmëria e institucioneve që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, nuk u pëlqen as zbatimi i ligjit në territorin e vendit, as lufta e pakompromist ndaj krimit dhe korrupsionit, por ta kenë të qartë se kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë dhe nuk do të heqim dorë. Do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe për frikësimin e kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve tanë”, ka thënë Osmani.
Osmani ka potencuar se ky kërcënim së fundmi është shpërfaqur përmes idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake serbe në Kosovë.
“Por Serbia dhe presidenti i saj e di mirë se prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999”, ka theksuar presidentja e vendit.
Osmani këtë vit qeverisës e ka cilësuar si një vit të rrethanave të jashtëzakonshme, një vit i zhvillimeve sfiduese.
“Është një mozaik i jashtëzakonshëm i individëve që realisht janë heronjtë tanë të përditshëm, janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet e jo anasjelltas. Në këtë fundvit reflektojmë mbi çdo sukses individual që përfundimisht rezultoi me suksesin tonë kolektiv”.
“Janë qytetarët që gjithnjë konfirmojnë që kur krijohen kushtet e duhura, suksesi është pothuajse çdoherë i sigurt. Këtë na kanë dëshmuar në sport, art, shkencë e kudo tjetër. Si e tillë nga viti në vit, Kosova me ju, përmes jush, fuqizohet çdoherë e më shumë”.
Osmani po ashtu përmendi figura të njohura historike, të cilët ndihmuan e sakrifikuan që sot Kosova ta gëzojë lirinë.
“Solidariteti, mirëkuptimi e përkrahja ndaj njëri tjetrit, na ndihmoi që të dalim të suksesshëm përgjatë sfidave historike në rrugën tonë e plot sakrifica. Ju lus ta kthejmë vëmendjen tonë në përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri, t’i kujtojmë brezat e tërë, bijtë e bijat që nuk kursyen asgjë, për ta bërë të mundur realizimin e synimin tonë historik”.
“Ta kujtojmë edhe sot si çdo ditë tjetër udhërrëfyesin tonë, presidentin Ibrahim Rugova, i cili udhëhoqi Kosovën drejt krijimit të aleancave të fuqishme. Ta kujtojmë simbolin e rezistencës të armatosur, komandantin Adem Jashari, i cili dha jetën e tij dhe familjes në mënyrë që të agojë jeta e lirisë. Ta kthejmë edhe një herë vëmendjen nga dhimbja për të zhdukurit me dhunë, për zbardhjen e fatit të të cilëve po punojmë pa pushim”.
“Akomodimi i autokratëve dhe atyre që kanë tendenca hegjemoniste asnjëherë nuk është rruga e duhur, sepse vetëm i inkurajon ata që të ushtrojnë më shumë dhunë e shkatërrim, tirani e hegjemoni”.
Ndryshe, dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë bojkotuar fjalimin vjetor të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Kuvend.
Ata kanë njoftuar se presidentja ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj.