Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se Rusia nuk ka asnjë të drejtë të përdorë rastin e Kosovës si argument për të justifikuar aneksimin e territoreve në Ukrainë. Zyrtarët rusë shpesh e kanë marrë Kosovën si shembull për të justifikuar territoret e ankesuara në Ukrainë, duke nisur nga Krimea në vitin 2014.
Osmani në një intervistë për Mario Nawfalin të publikuar në rrjetin “X” ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka qenë rezultat i së drejtës së popullit për vetëvendosje dhe si rrjedhojë e një regjimi shtypës dhe kriminal të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, ndërsa situata në Ukrainë, sipas saj, është një agresion i pastër ushtarak nga ana e Rusisë.
“E vetmja ngjashmëri mes rasteve është se krimet që kreu Millosheviqi ndaj nesh janë të njëjta me ato që po kryen Putini ndaj njerëzve të pafajshëm gjatë pushtimit të Ukrainës. Po, janë të njëjtë – Putini dhe Millosheviqi – por nuk ka asnjë ngjashmëri mes Kosovës dhe territoreve të aneksuara nga Rusia”, ka thënë Osmani.
Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës kanë pasur të drejtën legjitime për të vendosur për fatin e tyre, ndërsa banorët e rajoneve si Donbasi janë bërë pjesë e një procesi të dhunshëm e të manipuluar nga Rusia.
“Rusia nuk ka asnjë justifikim që të flasë për ndonjë precedent që kinse ka krijuar Kosova. Situata është krejtësisht ndryshe”, u shpreh ajo.
Në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare, presidentja u shpreh se zhvillimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë do të varet nga ecuria e paqes në Ukrainë. Ajo shtoi se tashmë po shihen disa shenja pozitive në këtë drejtim, por theksoi se nuk e ka menduar kurrë mundësinë që Rusia të bëhej pjesë e NATO-s.
Ajo ka folur gjerësisht për historinë e Kosovës, luftën për pavarësi dhe vizionin për një të ardhme të begatë.
“Kosova do të qëndrojë: e palëkundur, e pathyer, e përjetshme! Dhe ashtu do të jetë aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” ka shtuar presidentja.
Ky mesazh vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të forcojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritetin strategjik me SHBA-në dhe duke punuar për integrimin në strukturat euroatlantike.