Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequra nga Chantal Soucy, kryetare e Rrjetit të Grave Parlamentare, njëherësh nënkryetare e Asamblesë Kombëtare të Kebekut në Kanada.
Presidentja Osmani i uroi Soucy 120-vjetorin e themelimit të Rrjetit të Grave parlamentare brenda Organizatës së Frankofonisë dhe shprehu mirënjohjen e Kosovës për kontributin të cilin kjo organizatë e ka dhënë në kultivimin dhe promovimin e vlerave frankofone nëpër botë.
“Kosova si anëtare e kësaj organizate është aktive në promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me vendet anëtare të Frankofonisë dhe kultivimin e vlerave të përbashkëta, të cilat i promovon kjo organizatë. Ajo po ashtu shprehu kënaqësinë që, si pjesë e bashkëpunimit të shkëlqyer, të cilin institucionet e vendit tonë e kanë me këtë organizatë, sot në Kuvendin e Republikës po mbahet Seminari parlamentar i këtij rrjeti”, ka shkruar Osmani, njofon Ptesidenca.
Presidentja dhe delegacioni i Rrjetit të grave të Asamblesë Parlamentare diskutuan edhe për kujdesin të cilin institucionet e Kosovës po e tregojnë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë dhe përpjekjet që, krahas përkrahjes, të sigurohet edhe drejtësi për to.
“Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krimet e kryera në Kosovë, përfshirë edhe krimet seksuale ndaj grave”, tha presidentja Osmani.
“Presidentja e njoftoi znj. Soucy edhe me përgatitjet për Forumin për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, i cili sivjet do të mbahet për herë të dytë dhe e ftoi atë dhe gratë parlamentare te Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë që të marrin pjesë në të”, thuhet tutje në njoftim.