Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është “thellësisht i lidhur” me homologun e tij rus Vladimir Putin – dhe ka shtuar se Serbia po planifikon një operacion për të pushtuar territorin e Kosovës, ashtu siç bëri Rusia në Krime.
Sipas saj, Serbia është duke përdorur taktikat ruse për të frikësuar fqinjin e tyre Kosovën.
Po ashtu, ajo në një intervistë për The Sun Online, ka thënë se Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën, dhe sipas saj, një situatë e rrezikshme po krijohet në Ballkan.
Ajo ka thënë se Serbia është duke armatosur dhe duke financuar grupe paraushtarake.
“Të gjitha këto tregojnë se është pikërisht i njëjti plan si ai i Putinit për Krimenë”, ka thënë ajo.
Osmani i ka kërkuar Perëndimit të vazhdojë t’i mbështesë ata, duke paralajmëruar se konflikti në Ballkan do të destabilizojë më tej një Evropë tashmë të brishtë.
“Ky nuk është një problem i largët. Paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e lidhur me paqen në Londër, në Nju Jork, në Washington, në Paris, në Berlin, sepse historia tregon se mungesa e paqes dhe sigurisë në Evropë është mungesë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Dhe kjo mungesë paqeje dhe sigurie në Ballkanin Perëndimor do të thotë se është një Evropë e destabilizuar”, ka shtuar presidentja Osmani.
“Forcat paraushtarake serbe dhe organizatat kriminale ndihmojnë në shkaktimin e dhunës në veri të Kosovës, me Rusinë që importon armë dhe uniforma ushtarake. Serbia ka mbështetur hapur këto grupe në veri të Kosovës dhe ka kryer krime, duke përfshirë kryerjen e krimeve kundër serbëve që jetojnë në veri”, ka thënë tutje ajo.
Osmani ka thënë se është e vështirë të “kuptohet mendja e autokratëve” si e Vuçiqit – duke shtuar se ndërkohë që kërcënimi i pushtimit duket i ulët tani, kjo mund të ndryshojë.
“Pushtimi nuk duket shumë i mundshëm. Megjithatë, shumë njerëz thanë se ishte e pamundur në Ukrainë vetëm dy ditë para se të ndodhte”, është shprehur ajo.
Osmani e zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në Planin Evropian
Duke folur për Planin Evropian, presidentja Osmani ka thënë se janë absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje.
Sipas saj, njohja reciproke është zgjidhja e vetme që mund të garantojë paqe dhe stabilitet afatgjatë.
“Kjo është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë. Serbia duhet të arrijë në atë pikë ku të kuptojë se realiteti i Kosovës si shtet i pavarur sovran është një realitet që do të ekzistojë përgjithmonë”, ka thënë ajo.
Gjithashtu, ajo ka shtuar se partnerët evropianë duhet t’ia rikujtojnë vazhdimisht Serbisë se Kosova është e pavarur dhe e tillë do të mbetet gjithmonë.