Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në dialogun Kosovë-Serbi , pala serbe është duke e bllokuar progresin e procesit të dialogut , njësoj si po e bllokon progresin e çështjes së targave.
Ajo ka shtuar se këtë bllokadë Serbia e ka shkaktuar qysh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit për targat e Kosovës në vitin 2011.
Osmani gjatë një konference për media me presidentin e Letonisë, Eglis Levits, të premten, ka thënë se në dialogun Kosovë-Serbi, Kosova si palë ka dhënë maksimumin e saj, madje si një palë konstruktive që respekton standardet evropiane.
“Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po shkakton pala serbe”, ka thënë Osmani.
Ndër të tjera ajo ka shtuar se Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane, ndërkaq se si do të sillet Serbia varet nga ata, por fatkeqësisht sjellja e tyre e deri më tani vetëm e ka bllokuar progresin në dialog.
E para e vendit, ka theksuar se sa i përket udhëheqësve të delegacioneve në takime deri më tani, vazhdimisht është potencuar që procesi i dialogut Kosovë-Serbi është i përqendruar në njohje reciproke.
“Njohja reciproke është epiqendra e dialogut Kosovë-Serbi dhe parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka shtuar Osmani.
Ndryshe, të enjten e 21 prillit, ka përfunduar takimi në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave dhe zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në një konferencë për media tha se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje pasi, sipas tij, ka zero gatishmëri nga pala serbe për të gjetur një zgjidhje të përhershme.
Deklaratat e Bislimit kishin ardhur pasi ai ishte takuar me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, e që e enjtja ishte afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.
Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës veturat me targa serbe, duhet të vendosnin letra ngjitëse.
Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve që nga viti 2011.
Ndërsa, deri më tani janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.