Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 4 dhjetor se gjatë takimeve që ka zhvilluar në Bruksel me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian ka kërkuar bashkëpunim dhe që fokusi të jetë në parandalimin e “sulmeve të reja terroriste”, pas sulmit në Zubin Potok.
Osmani foli për gazetarët pas takimeve që zhvilloi fillimisht me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe më pas me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Osmani tha se në këto takime është biseduar për sulmin e fundit në Zubin Potok ndaj kanalit të ujit dhe për rreziqet e reja që mund t’i vijnë Kosovës nga sulme të tjera eventuale
Ajo tha se në takimet në Bruksel ka rikonfirmuar gatishmërinë e plotë të Kosovës për të ftuar partnerët ndërkombëtarë që të marrin pjesë në hetime për shpërthimin e 29 nëntorit.
“Duhet të kërkohet përgjegjësi për sulmet e vazhdueshme të cilat Serbia, nëpërmjet strukturave të saj ilegale, po i kryen kundër Kosovës”, tha ajo.
E pyetur se sa janë bindëse dëshmitë që i ka paraqitur Kosova sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për këto sulme, pasi që disa zyrtarë evropianë kanë deklaruar se nuk duhet nxituar me paragjykime rreth fajësisë, Osmani tha se ka mjaft dëshmi që e bëjnë përgjegjëse Serbinë.
“Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk merren me paragjykime, por me prova konkrete. Personat e arrestuar janë anëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Anëtarët e kësaj organizate edhe emërohen nga Serbia, edhe paguhen nga Beogradi zyrtar. Edhe po të mos ekzistonte asnjë lidhje tjetër, vet fakti që këta persona janë zyrtarë të Beogradit, paguhen, mbështeten, trajnohen për sulme të tilla nga Beogradi, dëshmon mjaftueshëm për përfshirjen e Serbisë”, tha presidentja Osmani.
Osmani iu referua një nga dy organizatave, që Qeveria e Kosovës ka shpallur terroriste vitin e kaluar.
Presidentja e Kosovës po ashtu tha se sulmi i fundit në Varragë të Zubin Potokut, sipas ekspertëve, është kryer nga profesionistë të cilët është dashur që për një sulm të tillë të kenë trajnim ushtarak.
“Ne e kuptojmë se vendet e BE-së dhe NATO-s kanë procedurat e tyre për të konfirmuar përgjegjësinë e dikujt. Ato edhe mund të zgjasin shumë, megjithatë sa i përket Kosovës, këtu nuk kemi të bëjmë as me paragjykime, e as me deklarata politike, por me konstatime që bazohen në prova”, tha Osmani.
“Është taktikë për të larguar vëmendjen nga autorët e vërtetë të një sulmi të tillë. Taktika të tilla, Serbia ka bërë edhe në të kaluarën. Ka bërë gjatë luftës në Kroaci, duke shfrytëzuar struktura paramilitare, duke pretenduar se Serbia nuk ka të bëjë asgjë me ta. Pra, taktika ‘gjuaje gurin dhe fshehe dorën’. E njëjta taktikë është përdorur edhe në sulmin e shtatorit të vitit 2023, e edhe tani”, tha ajo, duke shtuar se Kosova bashkëpunon me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar çfarëdo skenari për ndonjë sulm eventual në të ardhmen.
Sa i përket masave ndëshkuese, që i cilësoi të padrejta, presidentja kosovare tha se ka kërkuar nga Costa dhe Metsola që të ndihmojnë për të siguruar mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së për heqjen e tyre.
Ndryshe, Osmani do të vazhdojë vizitën e saj në Bruksel edhe më 5 dhjetor dhe do të zhvillojë takime në selinë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s./Radio Evropa e Lirë