Presidentja e vendit, Vjosa Osmani u ka shprehur ngushëllime familjarëve të tre fëmijëve që humbën jetën nga shembja e një shtëpie në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Osmani përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre.
“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre. Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe!”, ka shkruar Osmani.