“Kujtimi për akademik Aganin do të jetë i përhershëm, kurse sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm!”.
Kështu ka deklaruar Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në 24-vjetorin e vrasjes së nënkryetarit shumëvjeçar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetin e Kuvendit, Fehmi Agani.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, Osmani ka thënë se përkushtimi në sjelljen e autorëve të krimit para drejtësisë është i vazhdueshëm gjersa Aganin e ka vlerësuar si frymëzim të gjeneratave vijuese e vizionar.
“Sot e kujtojmë me respekt akademik Fehmi Aganin, figurën emblematike të lëvizjes për lirinë e Kosovës, njeriun që përkushtimin e tij ndaj dijes e arsimit e kombinoi me aktivitetin politik, duke qenë dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, me të cilin u angazhua deri në vdekje në përmbushjen e idealit për Kosovën shtet të pavarur. Më 6 maj të vitit 1999, në agun e lirisë, vizionari e përbashkuesi, akademik Agani u vra mizorisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë. Vizioni dhe trashëgimia e tij për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat”, thuhet në njoftim.
Të shtunën e gjashtë majit shënohen 24 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe njëherit, deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.
Agani ishte njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e subjektit politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u vra nga forcat serbe në vitin 1999.
Ndërkaq, me fillim nga ora 11:30, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku së bashku me bashkëpunëtorë dhe familjarë do të bëj homazhe tek varri i të ndjerit.