“S’ka gjë më të dhimbshme dhe më dëshpëruese për një shoqëri sesa të humbë besimin në drejtësinë dhe etikën e ligjit”.
Kështu është shprehur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës”, që u organizua me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës nga Grupi për Ballkan.
Megjithatë, e para e shtetit ka thënë se një gjë është e sigurt, se “edhe kur e tashmja mund të sfidohet nga padrejtësia, koha e gjen gjithnjë mënyrën e vet për ta sjellë përfundimisht drejtësinë në vend”.
“Derisa po e festojmë këtë 15-vjetor shpreh gatishmërinë si presidente e Republikës për të vazhduar që të jemi së bashku në zbatim të Kushtetutës së vendit dhe mbi të gjitha në shërbim të vendit tonë, ashtu siç kërkon Kushtetuta dhe ashtu siç kam vepruar që nga dita e parë”, ka theksuar presidentja Osmani, shkruan Rtk.
Në këtë konferencë është prezantuar raporti i politikave “Kushtetuta e Kosovës: Rishikim Gjithëpërfshirës & Analizë Ligjore”, që analizon 21 çështje kushtetuese që lidhen me sistemin e ligjeve, funksionimin e institucioneve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe propozon zgjidhje për mangësitë kushtetuese.