Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se synimi i Serbisë është që të marrë territor nga Republika e Kosovës.
Gjersa ka thënë se sa më i largët bëhet ky synim i Serbisë aq më të dhunshme bëhet metodat e saj, Osmani ka thënë se Serbia udhëhiqet nga një mentalitet i mbetur që nga vitet ’90.
“Kosova është dhe do të jetë e rrezikuar përderisa Serbia udhëhiqet nga njerëz që akoma vazhdojnë ta kenë mentalitetin e viteve të 90-ta, është një lloj vazhdimësie e mentalitetit të Millosheviqit për fat të keq…“Vuçiq, Vulin, Daçiq dhe shumë bashkëpunëtorë të tyre të cilët edhe kanë punuar me Millosheviqin e fatkeqësisht kurrë nuk e kanë krijuar një lloj ndarje nga ajo e kaluar e hidhur e shtetit të tyre dhe në një far mënyre po e mbajnë të tërë rajonin nën tension.. Në anën tjetër, përtej çështjes së mentalitetit, duhet ta themi shumë qartë sepse e dimë që të gjithë, Serbia ka pretendime të qarta territoriale në raport me Kosovës, ata dëshirojnë të gllabërojnë tokë Kosove dhe sa më larg e shohin këtë synim, aq më të dhunshëm bëhen”, ka deklaruar Osmani, në Klan Kosova.
Sipas Osmanit, ajo që po ngjan kohëve të fundit në Kosovë vie si rrjedhojë e kuptimit të situates nga ana e presidentit serb, Vuçiq i cili sipas saj, është duke e vërejtur se as në dialog në Bruksel dhe as nëpërmjet strategjive të mbrapshta nuk po arrin të marrë territor në Kosovë.
Ajo ka theksuar se për çështjen e barrikadave nuk do të ketë marrëveshje.
“Për barrikada nuk do të ketë marrëveshje, barrikadat nuk do të jenë temë në tavolinë”, ka deklaruar Osmani gjersa ka thënë se barrikadat janë objekte të bandave kriminale dhe jo të serbëve lokalë.
Janë bërë më shumë se dy javë qëkur barrikadat në Veri janë vendosur nga serbët. Lidhur me këtë të fundit, mbrëmjen e së mërkurës është deklaruar edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.