Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se Gjermania mbështet aleatja kyç për rrugëtimin euroatlantik si dhe për çështje të sigurisë dhe ekonomisë.
Osmani përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se është pritur në takim nga Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbok, ku tha se u është “rikonfirmuar partneriteti i fortë mes Kosovës dhe Gjermanisë.
“Me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, rikonfirmuam partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, Gjermania mbetet aleate kyçe për rrugëtimin tonë euroatlantik si dhe për çështjet politike, të sigurisë dhe ekonomike, ndaj puna jonë e përbashkët është rruga që shpie drejt sukseseve”, ka vijuar Osmani.
Ndërsa në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera.
“Presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë ishin gjithashtu tema të diskutimit të Presidentes Osmani dhe ministres Baerbock. Presidentja Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj. Në këtë kontekst, Presidentja ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t`i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftimin e Presidencës..
Osmani ka theksuar se Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të, ndaj marrëveshja duhet të zbatohet si e plotë.
Ndër të tjera, në këtë takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve blaterale, duke përshirë angazhimin e përbashkët në përmbushjen e agjendës së gjelbër.