Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe njëherit shefi i OSBE-së, Bujar Osmani, është takuar me Gabriel Escobar, zëvendësndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.
Sipas Osmanit, ai me përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor kanë biseduar për “zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, si dhe nevoja për përshpejtimin e proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor që paraqet një çështje të rëndësishme të sigurisë”.
Më tej, ai ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së janë ngritur në nivel më të lartë falë dialogut strategjik mes vendeve.
“Forcimi i partneritetit strategjik. Progres në agjendën e reformave të brendshme dhe zhvillimin demokratik”, ka thënë Osmani.
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut ka thënë se Escobar ka vlerësuar angazhimin në OSBE dhe në Kartën e Adriatikut dhe Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.