Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë.
Pas takimit Presidentja Vjosa Osmani dhe Presidenti Bajram Begaj do të deklarohen për media.
Sipas presidentes Osmani, avancimi i interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rritja e koordinimit në fushën e politikës së jashtme, janë në interesin reciprok të të dyja shteteve.
“Suksesi i Kosovës është edhe i Shqipërisë dhe anasjelltas. Shqipëria për Kosovën është jo vetëm shtet vëllazëror, por edhe një partnere strategjike në rrugëtimin evropian. Siç e kemi pasur mbështetjen në shumë etapa historike të lirisë dhe shtetndërtimit, jemi të sigurt që shteti shqiptar do të jetë në mbështetje tonën kudo ku kemi nevojë”, ka theksuar Osmani.
Siç thuhet në njoftimin e Presidencës, Osmani ka falënderuar përfaqësuesit e Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe ka theksuar se pret që nesër ata sërish ta bëjnë të njëjtën gjë në procesin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Më tej, Osmani në takim me kryeparlamentaren Nikolla, ka theksuar se diplomacia parlamentare ka rol të rëndësishëm në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, prandaj diskutuan dhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave.