Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Hovenier e ka përgëzuar Osmanin për edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vlerësuar përkushtimin e saj dhe të Kosovës për ta avancuar këtë agjendë në vend, si dhe në rrafshin ndërkombëtar.
“Në takim u diskutua po ashtu për zhvillimet e fundit në vend, ku Presidentja potencoi shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, përmes ndalimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonat kufitare dhe trajtimit të papranueshëm të tyre, si dhe arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim është diksutuar lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Temë e diskutimit në këtë takim ishin edhe përgatitjet që po bëhen dhe koordinimi me aleatët në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.